spot_img
HomeBallkanEuroskepticizmi në rritje në Maqedoninë e Veriut dhe përçarjet brendashqiptare

Euroskepticizmi në rritje në Maqedoninë e Veriut dhe përçarjet brendashqiptare

Euroskepticizmi në rritje në Maqedoninë e Veriut dhe përçarjet brendashqiptare

Burim RAMADANI

Maqedonia e Veriut drejt paqëndrueshmërisë (gjeo)politike: rritet blloku euroskeptik, dobësohet blloku Pro-Perëndimor!

Ky do të ishte një lexim nga Kosova për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, të mbajtura më 19 tetor 2025. Madje, ky interpretim vjen në prioritet analize në raport me mahallën e vogël politike shqiptare, e cila fatkeqësisht mbetet kështu pasi ka bërë hapa të mëdhenj në thellimin e përçarjes!

Katër mesazhe me shqetësime

Duke qenë se zgjedhjet lokale janë më pak se dy vjet nga zgjedhjet e fundit parlamentare, janë katër mesazhe që mund të lexohen nga vota e 19 tetorit:

Së pari, rritja në shtrirje e të djathtës nacionaliste, përatësisht VMRO-DPMNE. Ky grupim politik është udhëheqëse politik dhe shoqëror i euroskepticizmit, gjë që në pasojë e ka zgjerimin dhe thellimin e influencës ruse e serbe në rritjen e mosbesimit ndaj Perëndimit.

Së dyti, forcimi edhe simbolik i të majtës radikale, Levica. Një grupacion ky edhe pro-rus e pro-serb, edhe anti-Perëndimor, edhe nxitës i skajshëm i përçarjes ndëretnike. Nismat e saj edhe ligjore për të reduktuar të drejta të caktuara të shqiptarëve atje është një fakt shqetësues.

Së treti, dobësimi i bllokut pro-Perëndimor, i cili me mendësinë e racionalitetit në çështje të rëndësishme shtetërore kishte bërë hapat e mëdhenj të kompromiseve historike që realisht e anëtarësuan Maqedoninë e Veriut në NATO.

Së katërti, dobësimi i rolit dhe fuqisë politike të shqiptarëve, jo domosdoshmërisht për shkak të rezultateve individuale, por kryesisht për shkak të përçarjes serioze sidomos të këtyre viteve të fundit.

Të katër këto mesazhe duket se mund të rikonfirmojnë shqetësimet edhe ashtu të shprehura nga aleatët Perëndimor rreth ngadalësimit të procesit të integrimit europian për Maqedoninë e Veriut. Shqetësimet e tilla jorrallë janë shprehur në raport me domosdoshmërinë e reformave kushtetuese e qeverisëse, të cilat më pas do të përshpejtonin procesin.

Përçarja e dëmshme brenda shqiptarëve

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë fituar gjë! Vetëm në aspektin administrativ, disa bëhen Kryetarë Komunash, por roli i tyre në mungesë të përafrimit nuk është në përputhje me rritjen e euroskepticizmit në përgjithësi. Shqiptarët kanë qenë faktori vendimtar e përcaktues për anëtarësimin në NATO. Thjesht e qartë, pa shqiptarët Maqedonia e Veriut nuk do të ishte sot anëtare e NATO-s. Prandaj, kjo e arritur kryesore në sigurinë kombëtare të RMV është padyshim diçka për të cilën shqiptarët mund të krenohen.

Por, assesi kjo krenari nuk mund të shtrihet edhe në nivelin e politikës së përditshme. VLEN qartësisht ka thyer me këto zgjedhje dominimin politik lokal të BDI-së. Por, kjo betejë e fituar nga VLEN nuk e zhbën BDI-në dhe as nuk e përjashton nga roli i fuqishëm politik e kombëtar të Ali Ahmetit.

Trajektorja e polarimizimit ndër-etnik dhe lëkundjes gjeopolitike në RMV i nxjerr në humbje shqiptarët e përçarë. Shqiptarët kështu nuk mund të ndikojnë në përshpejtimin e anëtarësimit europian, sa për ilustrim. Dhe, kjo qartësisht nuk është në interesin e të drejtave dhe bashkëpronësisë shqiptare të shtetit.

Prandaj, edhe Kosova, edhe Shqipëria nëse synojnë të lehtësojnë rrugën e sigurt të RMV për në BE do të duhej të ndihmonin në tejkalimin e përçarjeve brendashqiptare atje. Vetëm në këtë mënyrë, shqiptarët do të mund të kenë rolin politik që u takon, edhe sipas demografisë, edhe sipas ekonomisë, edhe sipas qëllimit parimor progresist.

spot_img

latest articles

explore more